Arzoe – Majlinda Nana Rama

Arzoe – Majlinda Nana Rama

Kategoria:

Përshkrimi

“ARZOE” – një polifoni e vërtetë, e përsosur

… Edhe ky libër vjen si një polifoni e vërtetë, e përsosur. Aromë magjike e botës – dashuri, e fuqisë dhe mistereve të saj. Autorja, mjeshtre në ndërtimin e lirizmit dramatik të tekst-rrëfimit, balancon mirë mes të kundërtave: mes ikjes dhe kthimit, mes Po-së dhe Jo-së, mes realitetit dhe ëndrrës, mes pranisë dhe mungesës, trupit dhe shpirtit, mes tokësores dhe qiellores, statuse këto që, pandërprerë zëvendësojnë njëra-tjetrën me lehtësi dhe elegancë, me përsosmëri estetike… Majlinda Rama, me një fund që vjen dhe sjell qetësi, paqe kontemplative, qiellore, e le të hapur dritaren e universit të pafund të dashurisë, në kërkim dhe prurje, të pritura të papritura, diskretshëm edhe ndjesinë për    fluturime të radhës…

          (Ali Aliu)

 

Majlinda Nana Rama ka lindur në Tepelenë.

Në vendlindje ka marrë mësimet e para e ato të mesme. Gjatë viteve 1998–2002, ka kryer studimet e larta për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Në vitin 2012, ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Si shkrimtare, Majlinda Rama u bë e njohur me romanin “Perandorët”, i cili bëri jehonë të madhe për shkak të tematikës së mprehtë, trajtimit dhe mpleksjes fabulare të shumë elementëve. Ky roman, që i hapi rrugën në letërsi, në pak kohë do të bëhej edhe film në Zvicër.

Stili i veçantë i Majlinda Ramës ra menjëherë në sy të kritikëve e studiuesve më të njohur të kohës, si: Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Jorgo Bulo, Klara Kodra, Agim Vinca e shumë të tjerë, të cilët panë te shkrimtarja e re një talent të spikatur. “…Në Shqipëri, Kadare s’ka për të mbetur i vetëm…”, do të shpreheshin për të.

Letërsia e saj është promovuar në disa shtete, si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Gjermani, Francë, Zvicër, Austri, Belgjikë, Poloni, Holandë, Hungari, Spanjë etj.

 

Ka botuar këto vepra:

“Merrma lotin peng” – Poezi, 2004

“Hënë e qiellit tim“– Poezi, 2006

“… Por gjyqi vazhdon …“ – Eseistikë, 2006

 “Perandorët“ – Roman, 2014

“Kritika Letrare“ – Studime, kritika, ese, publicistikë, Shkup, 2014

“Zonja me të kuqe“ – Roman, 2015

“Metalogjika policentrike e një shteti të ri“ – Studim, 2016

“Koncept i përkufizuar i një modeli ekonomik“ – Studim, 2016

 “Ikja“ – Novelë, 2016

 “Antologji e prozës poetike“ – 2017

“Kthimi“ – Novelë, 2017

 “Lulet e egra“ – Poezi, Shkup, 2017

 “Kodi poetik i Agollit“ – Studim monografik, 2018

 “Kumte që lëvizin“ (Mbi poezinë e Ali Podrimes) – Studim monografik, 2018

 “Arzoe” – Novelë 2019