Kim Mehmeti

Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup, në vitin 1955.

Është i njohur si shkrimtar, romancier, tregimtar, eseist, publicist dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjellas.

Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi”, e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SHB “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin “Shoqëria e Hapur” (Maqedoni) ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor i Rrjetit Informativ Europian (AIM) për Maqedoninë dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Gjatë viteve 1997-2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturor në Shkup.

Kim Mehmeti është ideator i shumë nismave qytetare në Maqedoni dhe në rajon. Përveç gjuhës amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase.

Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve ’70-të të shekullit XX nëpër revistat kroate. Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në disa gjuhë, si: gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate etj.