Përshkrimi
Malli është lajtmotivi kryesor i këtij libri. Ai, për poetin, është një lloj burgu që, megjithëse e ke lirinë, s’të lejon të kesh atë çfarë dëshiron të kesh; “Si mundet, në zinxhirë malli/ta ndiesh veten,/përsëri në burg”… Autori i këndon mallit për fëmijërinë e lënë pas, për përqafimet e nënës, për trotuaret e qytetit. Koha e humbur, orët e ikura, thinjat, rrudhat, largësia nga vendlindja, janë shqetësim i përhershëm i vargjeve të poetit, Xhemal Gora.
Në vargjet e tij, gjen edhe dashurinë e pastër, edhe dashurinë e ikur, edhe dashurinë sublime, gjen lulet dhe lotët, gjen pritjet dhe ikjet, gjen ardhjet e përhershme e ikjet e përjetshme. Poetin e shqetëson fati i atdheut.
Edhe pse larg fizikisht, mendjen e shpirtin i ka të lidhura e rrënjët e truallit të vet. Ai jeton me dhimbjen, tek e sheh vendin e tij të kalojë mes dhjetra peripecish dhe, befas, këtë dështim të madh, ia faturon asaj që ai e quan “koha e burrave të veckël”.
Edhe heshtja, sipas tij, është varr kolektiv… E përhershme, si konstante që nuk lëviz dhe ekuilibron botët, mbetet dashuria, dashuria universale, së pari, por edhe ajo burrë – grua.
Dashuria, sipas autorit, nuk njeh moshë teksa përsiat mes raportit të dashurisë si ndjenjë dhe si moshë: “Nëpër rrathë moshe, s’ftohet zjarri,/djeg si prush, se brenda ndezur rri/,mjafton të fryjnë pak kujtime malli,/nisin shpërthejnë vullkanet përsëri”. Libri “Shtigje dashurie”, është ndërtuar në një botë, por mbështetur në pika të ndryshme, ku do të veçoheshin lirikat e dashurisë, të cilat, poeti di t’i sjellë me mjeshtëri dhe kreativitet. Janë lirika të mençura, me ndjenjë e pasion dhe përjetohen si të tilla edhe nga lexuesi.
Metafora dhe oksimoroni si dhe kompozitat e neologjizmat, janë një sistem i tërë figuracioni, i ndërtuar me përkushtim, me shije estetike.