Përshkrimi
Jetëshkrim
Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup, në vitin 1955.
Është i njohur si shkrimtar, romancier, tregimtar, eseist, publicist dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjellas.
Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi”, e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SHB “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin “Shoqëria e Hapur” (Maqedoni) ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor i Rrjetit Informativ Europian (AIM) për Maqedoninë dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Gjatë viteve 1997-2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturor në Shkup.
Kim Mehmeti është ideator i shumë nismave qytetare në Maqedoni dhe në rajon. Përveç gjuhës amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve ’70-të të shekullit XX nëpër revistat kroate. Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në disa gjuhë, si: gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate etj.
“… në veprat e Kimit gërshetohen kalendarët dhe hapësirat jetësore të personazheve që jetojnë jo vetëm aty ku janë dhe me ata që i kanë pranë, por edhe atje ku duan të jenë dhe me të munguarit që jetojnë në imagjinatën e tyre. Natyrisht, ajo që është e veçantë e Kimit, që mbetet konstante dhe që ka të bëjë me stilin e kësaj natyre krijuese, që bie në sy me fjalinë e parë – shumë shumë me paragrafin e parë – është poetika narrative, fuqimisht dalluese. Është fraza e zgjeruar, që, në të parë, ke përshtypjen se shtrihet rehatshëm në hapësirë, që ndërron mendje shpejt, pasi të rrëmben ndjesia se bëhet fjalë për një rrëfim të ngjeshur dhe të ngarkuar me detaje të përzgjedhura me rigorozitet dhe se secili është në funksion të caktuar drejt shtratit unik”. (Akademik Ali Aliu)