Lindi më 1934 në Kranjë të Prespës. Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e përfundoi në Manastir, më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup, më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Beograd, në vitin 1960.
Pas studimeve punoi si gazetar në redaksinë “Flaka e Vëllazërimit” në Shkup. Gjatë viteve 1969 – 1972, punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973, duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën “Teori e letërsisë”.
Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.